Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu, deklaroi sot se, 80 mijë banorë të Krujës janë penalizuar nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar.

Në një prononcim për mediet para parlamentit Bakiu u shpreh se, qeveria shqiptare nuk shqetësohet për problemet e qytetarëve.

“80 mijë banorë të zonës së Krujës sot janë të penalizuar nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar. Papërgjegjshmëria e qeverisë është e paparë. Sot që ngrihen problemet e zgjedhësve, gjysma e kabinetit qeveritar nuk ishin të pranishëm në sallë, që të dëgjojnë hallet e problemet e tyre. Seanca plenare nis me anëtarësimet e reja në PS”, tha ajo.

“Nuk shqetësohen se çfarë problemesh kanë qytetarët shqiptarë. I bëj thirrje kryeministrit Rama dhe ministres Balluku që të bëjnë ndërhyrje të menjëhershme në projektin e rrugës Thumanë-Kashar, për të bërë dalje që kalon në Bashkinë e Krujës. Është problem madhor sepse penalizon 80 mijë banorë, penalizon bizneset dhe izolon zonën”, nënvizoi deputetja Bakiu./ata