Shkolla e Mesme Profesionale “Nazmi Rushiti” në Peshkopi, është një prej institucioneve arsimore që i shtohet sistemit të shkollave profesionale të cilat gjatë 2023-2024 kanë rilindur.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale fotografi nga ambientet e kësaj shkolle e cila ofron kushte dinjitoze për 300 nxënës.

“Shkolla e Mesme Profesionale ‘Nazmi Rushiti’, do të ofrojë kushte dinjitoze në mjedise mësimore, laboratorë didaktikë, laboratorë të praktikës profesionale, biblioteka dhe mjedise sportive e rekreative për rreth 300 nxënës, të cilët do të aftësohen në 6 drejtime mësimore: Teknologji Ushqimore, Shërbime Sociale dhe Shëndetësore, Ekonomi-Biznes, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK), Gjeologji Miniera, Hoteleri – Turizëm”, tha Rama.

Shkollat profesionale po tërheqin gjithnjë e më tepër vëmendjen e të rinjve, të cilët çdo vit e më shumë zgjedhin t’i frekuentojnë ato, si rrugën e sigurt drejt integrimit në tregun e punës.

Investimet në infrastrukturë për institucionet e arsimit dhe formimit profesional janë shtuar, duke krijuar kushte optimale për mësimdhënie e duke rritur interesin e nxënësve.

Shkolla profesionale “Nazmi Rushiti” në Peshkopi është kompletuar tashmë me reparte të praktikave profesionale, laboratorë, bibliotekë si dhe kabinete të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme didaktike.