Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, diskutuan për zhvillimet në Rripin e Gazës dhe përpjekjet për të siguruar paqen dhe stabilitetin.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të Arabisë Saudite, SPA, Bin Salman dhe Guterres zhvilluan një bisedë telefonike.

Në bisedë Bin Salman dhe Guterres diskutuan për zhvillimet e fundit, veçanërisht mbi situatën në Gaza dhe përreth si dhe përpjekjet për të siguruar paqen dhe stabilitetin.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023. Që atëherë, në Gaza janë vrarë më shumë se 31.700 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë ndërsa rreth 73.800 të tjerë janë plagosur.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka zhvendosur 85 për qind të popullsisë së Gazës, mes një bllokade shkatërruese të produkteve ushqimore, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa