Studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës iu bashkuan fushatës për dhurimin vullnetar të gjakut.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale momente nga dhurimi i gjakut të studentëve të këtij universiteti.

“Një akt i thjeshtë, por shumë human si dhurimi i gjakut mund të shpëtojë disa jetë njerëzish. Studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, iu bashkuan fushatës sonë për dhurimin vullnetar të gjakut gjatë një jave”, theksoi Koçiu.

Ministrja Koçiu bëri të ditur se “çdo dhurues gjaku, si edhe ata periodikë, përfitojnë kryerjen e disa testimeve falas: Gjak komplet, Transaminazat ALT, Konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh, Testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz, Glicemia, Kreatinemia, Proteinemia, Kolesterolemia, Trigliceridemia dhe Feritinemia”, tha Koçiu.

Fushata sensibilizuese e dhurimit të gjakut synon të ndërgjegjësojë për rolin e rëndësishëm që luajnë dhurimet vullnetare të gjakut në shpëtimin e jetëve dhe rritjen e solidaritetit brenda komuniteteve.

Autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut në mënyrë të rregullt për të krijuar një rezervë të vazhdueshme gjaku, në mënyrë që pacientët në nevojë, të mund ta marrin atëherë kur do të kenë nevojë./ata