Polonia ka kërkuar një shpjegim nga Moska pasi ka pretenduar se një raketë lundruese ruse që synonte Ukrainën hyri në territorin e saj dhe shkeli hapësirën ajrore polake.

Siç raporton agjencia kombëtare polake e lajmeve PAP, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, Pawel Wronski, tha se ata kërkojnë nga Federata Ruse “t’u japë fund sulmeve të saj ajrore terroriste kundër popullsisë dhe territorit të Ukrainës, t’i japë fund luftës dhe të fokusohet në problemet e brendshme të vendit”.

“Më 24 mars, në orën 4:23 të mëngjesit (0323 GMT), ka pasur një shkelje të hapësirës ajrore polake nga një prej raketave lundruese të lëshuara sonte nga aviacioni me rreze të gjatë të Federatës Ruse”, njoftoi Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Polonisë.

Sipas njoftimit të autoriteteve, objekti hyri në hapësirën polake pranë qytetit Oserdow dhe qëndroi atje për 39 sekonda. Gjatë gjithë fluturimit, theksohet në njoftim, objekti u vëzhgua nga sistemet e radarëve ushtarak.

Forcat e armatosura polake po ashtu thanë se avionët polakë dhe të aleatëve ishin aktivizuar për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore.

Hera e fundit që Rusia shkeli hapësirën ajrore polake ishte më 29 dhjetor të vitit 2023.

Rusia ende nuk ka komentuar për rastin e fundit, ku Polonia pretendon se është shkelur hapësira ajrore e saj./aa