Në negociatat indirekte të mbajtura mes Izraelit dhe Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha, pretendohet se Izraeli ka pranuar të lirojë mbi 700 të burgosur palestinezë në këmbim të 40 pengjeve izraelite në Gaza.

Në lajmin e faqes së lajmeve "Walla" me qendër në Izrael të cilin e bazon në dy burime, thuhet se në negociatat indirekte që filluan mes palëve në Doha më 18 mars, është siguruar marrëveshje për lirimin e një pjese të pengjeve.

Gjatë negociatave theksohet se Izraeli në këmbim të 40 pengjeve në Gaza ka pranuar të lirojë 700 deri në 800 të burgosur palestinezë, përfshirë në mesin e tyre 100 persona të dënuar me burgim të përjetshëm.

Më tej pretendohet se delegacioni izraelit ka pranuar propozimin e SHBA-së lidhur me çështjen për numrin e palestinezëve që do të lirohen në këmbim të çdo pengu izraelit.

Theksohet se delegacionit izraelit në Doha i është dhënë kompetencë për të diskutuar lidhur me çështjen e rikthimit të palestinezëve në veri të Gazës.

Sipas medias izraelite, Hamasit mund t'i nevojiten disa ditë për të dhënë përgjigje, për shkak se pritet miratim nga udhëheqja e Hamasit në Gaza.

- Hamasi dhe Izraeli negociata indirekte për armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve

Delegacioni izraelit nën kryesimin e kreut të Mossad-it, David Barnea më 18 mars mbërriti në Doha për raundin e ri të negociatave lidhur me lirimin e pengjeve.

Mediat izraelite njoftuan se negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Hamasit dhe Tel Avivit filluan zyrtarisht me mbërritjen në Doha të delegacionit izraelit të kryesuar nga kreu i Mossad-it.

Në delegacionin izraelit ishte edhe Nitzan Alon, përgjegjës për dosjen për të rrëmbyerit dhe të zhdukurit në ushtrinë izraelite.

Në lajmin e televizionit izraelit "Channel 12" thuhej se negociatat mund të zgjasin rreth 2 javë./aa