Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu shprehet se sapo ka nisur një udhëtim i ri dhe shumë i rëndësishëm për rritjen e cilësisë në sistemin tonë arsimor, me fillimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve 2024-2025.

“E nisëm programin me trajnimin e mësuesve nga shkollat e Durrësit, Korçës, Elbasanit dhe Tropojës dhe deri në fund të 2024, më shumë se 4000 mësues nga i gjithë vendi do të përfitojnë nga trajnimet në lëndët e gjuhës shqipe, matematikës, lëndët e shkencave, arsimi fillor dhe teknologji informacioni, duke i përgatitur ata me metodologji të reja të mësimdhënies”, tha ministrja Ogerta Manastirliu.

Ky program ambicioz angazhon 7 universitete publike të vendit, të cilat janë të njohura për kontributin e tyre në formimin e brezave të rinj të mësuesve, si Universiteti i Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Shkodrës./ata