Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Yasin Ekrem Serim, ka vizituar gjatë ditës dy komuna, atë të Prizrenit dhe atë të Mamushës, për të vendosur kontakte zyrtare.
Në kuadër të vizitës së tij në Mamushë, komunën e vetme turke në Kosovë, zv/ministri Serim takoi kryetarin e kësaj komune, Abdülhadi Krasnic, si dhe u takua me xhematin e Xhamisë Qendrore të Mamushës ku edhe fali namazin e xhumasë me besimtarët muslimanë.
Më vonë gjatë ditës, Serim shkoi në qytetin e Prizrenit, ku vizitoi shkollën fillore “Motrat Qiriazi” dhe takoi mësimdhënës e nxënës nga komuniteti turk i Prizrenit.
Serim vizitoi gjithashtu edhe selinë e partisë turke Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), dhe u takua me Ministrin e Zhvillimit Rajonal të Kosovës dhe Kryetarin e KDTP-së, Fikrim Damka, dhe zëvendësin e KDTP Enis Kervan. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime për çështje që kanë të bëjnë me komunitetin turk në Kosovë.
Serim, i cili vizitoi monumente të periudhës osmane në sheshin Shatërvan në qendër të Prizrenit, vizitoi edhe Konsullatën e Përgjithshme të Türkiyes në Prizren dhe u takua me konsullin e përgjithshëm Celal Doğan dhe punonjësit e konsullatës.
Në fund të vizitës së tij dyditore në Kosovë, Serim vizitoi edhe Delegacionin Përfaqësues të Türkiyes në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s (KFOR), i vendosur në kazermën “Sulltan Murati” në Prizren. Për aktivitetet e KFOR-it Turk, Serim mori informacion nga kryetari i Delegacionit Përfaqësues Turk, kolonel Sabri Gökhan Karamürsel dhe bëri iftar me ushtarët turk./aa