Protesta e sindikatave greke për kushte pune e paga më të mira, ka paralizuar qarkullimin në të gjitha pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Greqinë. Për shkak të një proteste që do të mbahet nga doganierët grekë, nuk do të lejohet kalimi i mjeteve nga sot, 2 prill, deri më 4 prill, në pikat e kalimit kufitar Qafë Botë, Tre Urat, Kakavijë dhe Kapshticë.
Nga sot ndalohet kalimi për mjetet e vogla, mjetet e tonazhit të rëndë (kamionët), autobusët dhe shërbimet taksi.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, pa bagazhe, dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore, të cilët do të mund të kalojnë pa pengesa.
Lajmërimi i bërë ditët e shkuara ka bërë që shumë shtetas të lëviznin drejt Greqisë ditën e djeshme.
Sipas Policisë, gjatë 24 orëve të fundit nga Kapshtica kanë hyrë 2504 shtetas dhe kanë dalë 2335 shtetas./ata