Në ambientet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) të Maqedonisë së Veriut u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Kodit për Zgjedhje të Drejta dhe Demokratike për zgjedhjet presidenciale 2024.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm të shtatë kandidatët: Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska-Davkova, Bujar Osmani, Arben Taravari, Biljana Vankovska, Maksim Dimitrievski dhe Stevço Jakimovski.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, lexoi përmbajtjen e kodit, ku ndër të tjera parashihet që pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të angazhohen që t'i respektojnë të gjitha ligjet, rregullat dhe rregulloret që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe të respektojnë sundimin e ligjit gjatë organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve.

Gjithashtu, pjesëmarrësit zotohen të mos përdorin gjuhë të urrejtjes dhe të mos kryejnë asnjë lloj diskriminimi dhe poshtërimi në bazë gjinore.

Kodin e kanë nënshkruar të gjithë kandidatët, përveç Stevço Jakimovskit. Ai tha se do t'i bindet Kodit, por nuk do ta nënshkruajë atë. Sipas tij, është e pakuptueshme që të mos ketë të ashtuquajtura “Master debate” apo debat në të cilin do të merrnin pjesë të shtatë kandidatët.

Një pjesë e kandidatëve, veçanërisht kandidatët e partive opozitare, u ankuan se dispozitat e Kodit nuk do të zbatoheshin në realitet, si dhe pati akuza se disa prej kandidatëve ishin favorizuar, duke marrë pjesën më të madhe të fondeve të fushatës.

Në dhjetor 2023, liderët politikë në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datat e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është planifikuar të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale pritet të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj 2024./aa