Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër dha lajmin e mirë të rritjes së vizitueshmërisë të Kalasë së Rozafës. Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, kalaja e Rozafës u vizitua nga 2336 persona më shumë. Muaji mars 2024 regjistroi 7025 vizitorë, vendas e të huaj, që do të thotë edhe më shumë të ardhura për këtë sit.
Me urimin për një fillim muaji të mbarë, të pasur me histori, DRTK Shkodër ftoi në një rrugëtim plot aventura në gjirin e kalasë.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Kështjella Rozafa është monumenti historik më antik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX).
E ndërtuar gjatë periudhës së Mbretërisë Ilire, ajo përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare shqiptare./ata