Akademia e Shkencave njoftoi se së shpejti do të organizojë një konferencë shkencore kushtuar “bajronizmit në botën shqiptare”, si një nga dukuritë më të hershme të mitit të traditës, të evokimit të “Motit të Madh”, të romantizmit gjuhësor dhe të romantizmit ideologjik e letrar, të mitit të origjinës dhe të hyjnizimit të etnisë.
Në konferencë do të trajtohen çështje të periudhës më të hershme të romantizmit (pararilindja arbëreshe); të fillimeve të idesë shqiptare (l’albanesità); të “utopisë kombëtare” të Rilindjes; të lidhjeve të poetëve romantikë shqiptarë me më të shquarit e kohës në Europë (De Rada dhe Lamartin, Hugo, Mistral); të projekteve për një “Shqipëri zonjë” (Naimi, Samiu, Çajupi, Pashko Vasa); të qasjes romantike europiane në letërsi e dije (V. Hugo, Alexander Dumas); të veprave të krijuara në klimën e “Child Harold” (“Alipashaida”).
Do të jenë të ftuar studiues shqiptarë nga gjithë hapësira historike (Kosovë, Maqedoni e Veriut, arbëreshë e arvanitë, nga Mali i Zi) të propozojnë çështje për t’u paraqitur në konferencë nga fusha të ndryshme të albanologjisë: studime letrare, historiografi, antropologji.
ASHSH bën me dije se konferenca do të zhvillohet në muajt e ardhshëm dhe kalendari do të bëhet i njohur së shpejti.
Vendi i shqiptarëve në poemën e mirënjohur të Byron-it është spikatur qartazi edhe në filmin artistik të BBC “Byron”, në të cilin flitet shqip, këndohet shqip, madje dhe kostumet e kryengritësve revolucionarë janë tradicionale shqiptare. Filmi është bazuar në periudhën e hershme të jetës së poetit./ata