Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se dhuna ndaj gruas vijon të mbetet në përmasa alarmante për shkak të dështimit të mekanizmave parandalues. 

Postimi i Xhixhos:

Dhuna ndaj gruas vijon të mbetet në përmasa alarmanete, për shkak të dështimit të mekanizmave parandalues.
Çdo vit, Policia e Shtetit regjistron rreth 5 mijë raste të dhunës në familje në të gjithë vendin, ku rreth 75% e rasteve janë gra.

 

Gjatë 15 viteve të fundit, 33 828 persona u pajisën me urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës në familje të ushtruar nga njëri prej anëtarëve.

Minimalisht 5 për qind e familjeve shqiptare janë të prekura nga dhuna.
Fatkeqësisht, kjo është vetëm maja e ajsebergut.

Janë me mijëra rastet e dhunës së padenoncuar, që mbetet Brenda mureve të shtëpisë, për shkak të frikës dhe mentalitetit.

Dështimi i mekanizmave parandalues është vetëm hallka e parë e zinxhirit të dështimeve të organeve ligjzbatuese në luftën kundër dhunës në familje. Gratë e dhunuara nuk gjejnë mbështetje as pasi marrin guxhimin të denoncojnë dhunën.

Në të gjithë vendin janë në dispozicion në viktimave të dhunës vetëm 30 shtretër për strehimin emergjent dhe 32 shtretër të tjerë për akomodim afatgjatë nga mijëra gra që denoncojnë dhunën çdo vit.

Nga 3 388 viktima të dhunës në familje që ka trajtuar Bashkia e Tiranës në vitet 2020-2023; vetëm 25 prej tyre kanë përfituar bonus qiraje dhe vetëm 5 të tjera kanë përfituar nga programi i subvencionimit të kredisë.

Indiferenca e institucioneve dhe mungesa e mbështetjes i detyron me qindra gra të kthehen te dhunuesi, të jetojnë nën të njëjtën çati me të e siç e kemi parë shpesh, edhe të përfundojnë tragjikisht.

Forcimi i mekanizmave parandalues të dhunës në familje, nxitja e kulturës së denoncimit, zbatimi rigoroz i ligjeve, mbështetja dhe fuqizimi ekonomik i gruas mbeten arma që kemi në dorë për të mbrojtur mijëra gra dhe fëmijë nga dhuna.