Në përvjetorin e 25-të të Betejës së Koshares u përkujtuan 114 dëshmorët e kombit të rënë në betejën më të rëndësishme dhe më të suksesshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës së Kosovës.

Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule në Kompleksin Memorial në Koshare të komunës së Gjakovës.

Presidentja Osmani tha se beteja e Koshares është monumentale në historinë e vendit dhe se dëshmorët e Koshares e fituan lavdinë e përjetshme, sepse siç tha ajo, realizuan qëllimin kryesor të brezave për Kosovën e lirë.

“Ata i bashkoi kauza e lirisë dhe drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes. Ata nuk luftuan për lavdinë e tyre personale, por e fituan lavdin e përjetshme, sepse mbrojtën dinjitetin tonë njerëzor dhe përmbushen amanetin e brezave për Kosovën e lirë”, tha Osmani.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se beteja e Koshares është një ndër veprat më ideale të luftës së UÇK-së.

Kurti theksoi se ushtarët e UÇK-së në betejën e Koshares i kanë vrarë rreth 108 serbë.

Edhe, ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, se vetë ai e ka miratuar planin operativ për heqjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Pas përfundimit të homazheve ngjarja ka vazhduar me manifestimin e “Ditët e Shqipes” organizuar nga Këshilli Organizativ i shoqatës së ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Në këtë ngjarje historike të pranishëm ishin ministra të vendit, deputetë të Kuvendit, kryetarë të komunave të ndryshme, liderë të partive si dhe shumë familje të dëshmorëve dhe veteranëve të UÇK-së.

/KosovaPress/