Tirana mikpriti takimin e 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit që u zhvillua për herë të parë në vendin tonë, duke mbledhur së bashku 40 përfaqësues të nivelit të lartë nga vendet e kontinentit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale fotoalbumin e këtij aktiviteti të rëndësishëm, që konfirmon Shqipërinë si destinacioni me rritjen më të madhe të flukseve turistike.

“Ndër shumë vendime që u morën në këtë mbledhje, Komisioni për Europën miratoi Axhendën e Turizmit për vitin 2024, duke manifestuar prioritetet e Europës si destinacioni kryesor në botë dhe një pionier në inovacionin turistik, ndërsa Shqipëria konfirmohet si destinacioni me rritjen më të madhe të flukseve turistike”, u shpreh ministrja.

Autoritetet kombëtare të turizmit të Evropës janë takuar në Tiranë për të avancuar zgjidhjet e përbashkëta për sfidat më të mëdha me të cilat përballet turizmi, si dhe mundësitë e ofruara nga kthimi i sektorit pas pandemisë.

Me pjesëmarrjen e pothuajse të gjithë anëtarëve të turizmit të OKB-së në rajon, takimi shërbeu si një platformë për dialog dhe bashkëpunim, duke ofruar një terren për shkëmbimin e njohurive, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe adresimin e sfidave dhe mundësive me të cilat përballet sektori i turizmit./ata