Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se ushtria ruse kreu sulme me mjete ajrore pa pilot (dronë) dhe raketa ndaj objekteve energjetike në Kiev, Zaporizhzhia, Odessa dhe Lviv.

Në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale, Zelenskyy tha se Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me mbi 40 raketa dhe rreth 40 dronë të llojit "Shahed" dhe se kanë arritur të rrëzojnë vetëm një pjesë të raketave dhe dronëve.

Zelenskyy tërhoqi vëmendjen se ushtria ruse vendosi në objektiv objektet energjetike të Ukrainës. "Ndaj Kharkivit u krye edhe një sulm raketor. U vendosën në objektiv objektet energjetike në Kiev, Zaporizhzhia, Odessa dhe Lviv", tha ai.

Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës thuhet se gjatë natës forcat e mbrojtjes ajrore ukrainase shkatërruan 37 dronë.

Poashtu edhe ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale bëri të ditur se Rusia sulmoi sërish infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

"Objektet e sistemit të prodhimit dhe transmetimit në rajonet Kharkiv, Zaporizhzhia, Lviv dhe Kiev u sulmuan. Inxhinierët e energjisë po punojnë për eliminimin e pasojave të sulmit", deklaroi Galushchenko.

Kreu i Administratës Ushtarake të Rajonit të Kievit, Ruslan Kravchenko në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale tha se "Alarmi për sulm ajror vazhdoi për më shumë se 5 orë. Fatkeqësisht gjatë alarmit për sulm ajror objekti i infrastrukturës kritike të Kievit u sulmua".

Ai theksoi se në sulm nuk ka humbje jete ose të plagosur./aa