Qeveria do të financojë projektet në skemën ujitëse në 17 bashki të vendit gjatë këtij viti përmes një fondi prej 400 milionë lekësh.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se përmes këtij fondi do të mbështeten 27 projekte për përmirësimin e kanaleve vaditëse.
“Mundësojmë infrastrukturën e nevojshme të ujitjes për fermerët tanë, nëpërmjet financimit të projekteve për rehabilitimin e kanaleve ujitës në administrim të bashkive. Miratuam këtë javë në qeveri, projektvendimin për shpërndarjen dhe detajimin e fondit prej 400 milionë lekë, për financimin e 27 projekteve në skemën ujitëse për 17 bashki”, u shpreh Denaj.
Ky projektvendim, tha ajo, krijon mundësinë që bashkitë të fillojnë menjëherë procedurat për realizimin e investimeve, me qëllim rritjen e sipërfaqes së ujitshme dhe numrin e fermerëve përfitues, veçanërisht në zonat me bujqësi intensive të vendit./ata