Në Ditën ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve në Situatë Rruge, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu solli shembullin e Merita Aliut, e cila ka rritur 8-të fëmijët e saj falë mbështetjes së Shërbimit Social.

Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu shkruan se “Mirela Aliu është një nga ato gratë e forta, e cila pavarësisht vështirësive të jetës, ia ka dalë falë mbështetjes së Shërbimit Social që të rrisë 8-të fëmijët e saj , të cilët sot marrin shërbime komunitare si terapi psiko-sociale, program mësimdhënie dhe shëndetësore”.

“Gjithashtu nëpërmjet programit të punësimit në komunitet, Mirela është e punësuar pranë Qendrës Komunitare Shkozë, e cila ofron mbështetje për të paktën 500 familje në nevojë”, theksoi Koçiu.

Në videon e publikuar nga Koçiu, Mirela Aliu u shpreh se “kam jetuar në kushte shumë të vështira. Tani jam e punësuar, jam shumë e kënaqur, jetoj me kushte shumë të mira në shtëpi edhe fëmijët i kam në kopshte dhe shkolla”.

Koçiu u shpreh se “në të gjithë vendin kemi ngritur 35 qendra multifunksionale të mbështetura nëpërmjet Fondit Social ku ofrohen shërbime edhe për fëmijët në nevojë”./ata