Tirana ka fituar me rezultatin minimal 1-0 ndaj Kukësit në stadiumin “Air Albania”. Ndeshja e vlefshme për javën e 31-të të Superligës shqiptare të futbollit, u vendos nga një gol i Kristal Abazaj në limitet e kohës së rregullt.

Edhe pse mbrojtja e Kukësit arriti të ishte e padepërtueshme, në minutën e 88’, Haxhia nga e djathta e sulmit bardheblu shërbeu në qendër të zonës sulmuesin bardheblu, dhe Abazaj, shtatlarti 27-vjeçar i vetëm përpara portierit Tafa, e dërgoi topin me lehtësi në rrjetë. Portieri kuksian nuk mund të bënte asgjë, por vetëm sa e shoqëroi me sy topin i cili kalonte rrëshkitazi ngjitur me shtyllën pingule në të djathtën e tij.

Ndeshja zgjati deri në minutën e 97’ dhe verilindorët u përpoqën të tentojnë barazimin, por bardheblutë u treguan mjaft të qetë në menaxhimin e lojës. Kjo fitore i ngjit bardheblutë në vendin e katërt, në kuotën e 43 pikëve, po aq sa edhe Dinamo City, që luan të dielën përballë Erzenit në orën 18:00, ndeshja që do të mbyllë javën e 31-të të Superligës.

Nga krahu tjetër, Kukësi mbetet në kuotën e 26 pikëve, duke vështirësuar pozitën e tij dhe duke qenë me një këmbë në Kategorinë e Parë. Skuadra verilindore pati dhe rezerva ndaj gjyqtarit në disa raste, duke pretenduar dhe një 11-metërsh në minutën e 66′, por gjyqtari dhe VAR lejuan vijimin e lojës.

Superliga java 31
Tirana- Kukësi             1-0     Abazaj  88’
Skënderbeu-Teuta       Ora 18:00’
Vllaznia-Laçi               Ora 18:00’
TË DIELËN:
Egnatia-Partizani         Ora 15:00’
Dinamo City- Erzeni     Ora 18:00’

Klasifikimi:
Egnatia 54 Pikë, Vllaznia 51, Partizani 48, Dinamo City 43, Tirana 43*, Skënderbeu 41, Laçi 35, Teuta 34, Erzeni 31 dhe Kukësi 26*

*Tirana dhe Kukësi kanë një ndeshje më shumë /ata