Berati është një ndër zonat më të mëdha në vend për prodhimin e qershive.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plantacione të qershive në fshatrat e Drobonikut dhe Sinjës.

“Sezoni i qershive po afron, por përpara se të shijojmë frutin le të kënaqim sytë me pamjen që ofron çelja e këtyre pemëve. Qershia është simbol i mirëqenies dhe prosperitetit në shumë vende. Japonia e feston çeljen e tyre me piknik në tokat e lulëzuara”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “Berati ka gjithashtu qershi në disa zona, por ato të Drobonikut dhe Sinjës kanë krijuar markën e tyre”.

“Këto foto janë shkrepur në tokat e familjes Gërxhi që prej 50 vitesh kultivojnë qershinë. Aktualisht kanë 300 rrënjë për të cilat kujdesen gjatë gjithë vitit”, tha Demo.

Vitet e fundit në Berat organizohet edhe “Festa e qershisë” me qëllim promovimin e këtij produkti, i cili konkurron në tregjet e vendit, por edhe jashtë tij./ata