Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron tha se është e "qartë" se Izraeli ka marrë vendim për të kaluar në veprim si kundërpërgjigje ndaj sulmit ajror të Iranit.
Cameron i cili vizitoi Izraelin, në një deklaratë për gazetarët tha se Britania shpreson që kundërpërgjigjja e Izraelit "të përshkallëzojë sa më pak të jetë e mundur situatën aktuale".
Ai theksoi se duan të shohin sanksione të koordinuara kundër Iranit.
"Është e drejtë të tregohet solidaritet me Izraelin, të theksojmë hapur pikëpamjet tona për atë që duhet të bëhet pas kësaj. Është e qartë se izraelitët kanë vendosur të ndërmarrin veprime. Shpresojmë që kundërpërgjigjja e Izraelit të përshkallëzojë sa më pak të jetë e mundur situatën aktuale", tha Cameron.
Sekretari britanik potencoi se ka nevojë për përqendrimin sërish ndaj Gazës, përfshirë Hamasin, krizën e pengjeve, dërgimin e ndihmave në rajon dhe ndërprerjen e konflikteve.
- Tensionet Iran-Izrael
Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë 2 gjeneralë.
Irani njoftoi se sulmi i Izraelit ndaj konsullatës nënkuptonte sulm në territorin e vendit të tij dhe se ata do të hakmerreshin. Ndërsa Izraeli tha se do t'i përgjigjej sulmeve të Iranit.
Më 13 prill Irani nisi një sulm ndaj Izraelit me qindra mjete ajrore pa pilot kamikazë, raketa balistike dhe lundruese.
Irani njoftoi se disa objektiva ushtarakë u goditën, ndërsa Izraeli deklaroi se shumica e sulmeve u parandaluan nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por një raketë goditi një bazë ushtarake në jug.
Mediat izraelite pretendojnë se qeveria e Tel Avivit ka marrë vendim që të kundërpërgjigjet në "mënyrë të hapur dhe efektive" ndaj sulmit ajror të Iranit./aa