Presidenti dhe Shefi ekzekutiv i Anadolu-t, Serdar Karagöz, tha se dokumentari i ri i agjencisë turke të lajmeve i titulluar "Dëshmia" (The Evidence), tregon shtrirjen e krimeve të luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, teksa një libër fotografik me të njëjtin emër u botua më parë.
Duke folur në shfaqjen e premierës së dokumentarit në Ankara, Karagöz theksoi se Anadolu i ka transmetuar botës më shumë se vetëm përmbajtjet e paraqitura në dokumentar, të cilat përfshijnë shpërndarjen e fotografive, videove dhe lajmeve të masakrave të paimagjinueshme çdo ditë.
"Gjatë këtij procesi, libri ynë 'Dëshmia' ishte një hap i rëndësishëm në nxitjen e bashkësisë ndërkombëtare për të thyer heshtjen ndaj sulmeve të Izraelit kundër palestinezëve dhe për të mbështetur drejtësinë. Sot, dokumentari ynë do të krijojë një dosje të re provash që do të dokumentojë krimet e luftës të kryera nga qeveria izraelite kundër palestinezëve në Gaza", tha ai.
Duke thënë se shpreson që dokumentari që ekspozon krimet e Izraelit do të kontribuojë "në mënyrë të konsiderueshme" për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit, ai vlerësoi përkushtimin e kolegëve dhe punonjësve humanitarë që rrezikojnë jetën e tyre për të regjistruar tragjedinë.
Ai tha se këto përpjekje luajnë një "rol kritik" në sjelljen e së vërtetës së dhimbshme të Gazës në vëmendjen e botës.
Karagöz tha se dokumentari nuk ka të bëjë vetëm me pamjet, por qëndron përballë përpjekjeve për të fshirë një komunitet dhe për të heshtur zërin e tyre.
Gjatë fjalimit të tij, ai nderoi kameramanin e Anadolu-t, Muntasir al-Sawwaf, i cili humbi jetën në një sulm ajror izraelit në Gaza dhe ftoi audiencën të duartrokiste kolegët e tij të mbijetuar që shërbyen në enklavën e bllokuar palestineze.
"Detyra jonë është ta kujtojmë, regjistrojmë dhe ta mbajmë atë në agjendë" tha kreu i agjencisë kryesore të lajmeve të Türkiyes dhe falënderoi regjisorin, Atakan Kerküklü, producentin Abdulkadir Karakelle dhe të gjithë korrespondentët dhe fotoreporterët e Anadolu-t të përfshirë në përgatitjen e filmit dokumentar.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për të ftuarit, përfshirë Drejtorin e Komunikimit të Türkiye-s, Fahrettin Altun, për pjesëmarrjen e tyre.
Karagöz tha se shpreson që dokumentari do të zgjojë botën ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe do të shërbejë si një katalizator për ndërgjegjësimin./aa