Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka reaguar me rastin e 11-vjetorit tw nwnshkrimit tw marrëveshjes së parë Kosovë-Serbi. Stano u shpreh se të gjitha marrëveshjet arritura në kuadër të dialogut duhet të implementohen, duke shtuar se moszbatimi i tyre sjell pasoja serioze për të gjithë popullatën e dy palëve. Ai ka theksuar se çështja e Asociacionit është thelbësore dhe urgjente për zbatim.
“Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh. Jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi, çka vlen edhe për marrëveshjet e tjera. Duhet të zbatohen. Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtar, kemi qenë dhe mbetemi të qartë me Kosovën se ata duhet t’a implementojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”, tha ai.
Ai tha se progresi në zbatimin e këtyre marrëveshjeve është i lidhur drejtpërdrejt me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE. Sipas tij nëse shtetet nuk përmbushin detyrimet e tyre do të ketë pasoja serioze dhe se populli i Kosovës dhe Serbisë do të jetë i vetmi që do të pësojë.
“Dhe nëse shtetet nuk bëjnë hapa në zbatimin e detyrimeve të tyre, do të ketë pasoja serioze dhe të vetmit që do ta pësojnë, do të jenë populli që ata pretendojnë se e mbrojnë ose veprojnë në interes të tyre. Të vetmit që do të paguajnë për këtë, do të jenë njerëzit në Kosovë e Serbi, nëse nuk ka lëvizje në përmbushjen e zotimeve që janë marrë në kuadër të dialogut”, shtoi Stano./Dosja