Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres lidhur me pretendimet se Izraeli ka kryer sulm kundër Iranit, tha se dënon çdo lloj veprimi hakmarrës.
Në një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i OKB-së thuhet se është e nevojshme që t'i jepet fund ciklit shumë të rrezikshëm të hakmarrjes në Lindjen e Mesme.
"Dënoj çdo lloj veprimi hakmarrës", tha Guterres duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që duke vepruar së bashku të pengojë iniciativat që mund të shkaktojnë pasoja të tmerrshme në rajon.
- Pretendimet se Izraeli sulmoi Iranin dhe Sirinë
Televizioni shtetëror iranian raportoi për shpërthimin që u dëgjua në verilindje të rajonit Isfahan ku ndodhet baza e Forcave Ajrore të Iranit.
Agjencia zyrtare iraniane IRNA vuri në dukje se zhurmat e shpërthimit në të njëjtën kohë kanë ardhur edhe nga zona veriperëndimore e rajonit Tebriz.
Ndërsa mediat amerikane në lajmet e tyre të bazuara në zyrtarë amerikanë njoftuan se Izraeli ka kryer sulm në territorin e Iranit.
Teksa autoritetet izraelite janë shmangur të komentojnë lidhur me çështjen, zyrtarët iranianë nuk kanë akuzuar ende drejtpërdrejt Izraelin.
Agjencia siriane e lajmeve SANA në lajmin e saj të bazuar në burim ushtarak, pretendon se Izraeli ka kryer sulm me raketa ndaj disa pikave në kufijtë jugorë të vendit ku ndodhen sistemet e mbrojtjes ajrore./aa