Aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2024 u mbyllën me 71.537 fermerë aplikues.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, teksa njoftoi se, tashmë ka nisur procesi i vlerësimit administrativ të aplikimeve, për t’i hapur rrugë financimit.

“Synojmë t’i japim përgjigje të shpejtë dhe konkrete përmes financimit të gjithë fermerëve që plotësojnë kushtet e aplikimit”, tha Denaj.

Referuar statistikave, në skemën e mbështetjes për bujqësinë aplikuan 69 510 fermerë individualë, blegtorë, bletarë, 321 grupe fermerësh dhe 21 Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor, duke synuar zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit bujqësor dhe blegtoral dhe përfituar nga mbështetja e qeverisë.

Referuar statistikave të publikuara nga MBZHR, për masën mbështetëse blegtori, aplikuan 9288 fermerë; në bletari 4322 fermerë; në masën për inpute në serra, aplikuan 816 fermerë; bimë mjekësore dhe aromatike 954 aplikime; global gap 48 aplikime; 54255 fermerë aplikuan për naftë pa taksa dhe 169 fermerë aplikuan për ferma organike.

Skema Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2024 ofron 8 masa mbështetëse, me një vlerë prej 3.488 miliardë lekësh./ata