Biblioteka vetjake e historianit Pierre Cabanes pjesë e koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Një ditë më parë Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë të veçantë me të gjitha koleksionet e bibliotekës vetjake të historianit të antikitetit dhe epigrafistit Pierre Cabanes (1930-2023).
Që kur ishte gjallë Cabanes la si amanet që biblioteka e tij t’i dhurohej shqiptarëve, me qëllimin që ajo të jetë në dispozicion të studentëve e studiuesve që janë të interesuar për historinë dhe arkeologjinë e antikitetit, duke vijuar kështu traditën e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës.
I interesuar posaçërisht për Shqipërinë që nga viti 1971, Pierre Cabanes u bë nismëtar i ripërtëritjes së marrëdhënieve midis studiuesve shqiptarë dhe francezë në fushën e arkeologjisë dhe të historisë së lashtë të Shqipërisë, faza e parë e të cilave lidhet me emrin e bashkëatdhetarit të tij, Leon Rey. Ai, gjithashtu, themeloi misionin e ri arkeologjik dhe epigrafik francez në Shqipëri.
Si studiues i antikitetit, ai është i njohur veçanërisht për studimet e tij themelore për Epirin Antik dhe Ilirinë e Jugut.
Drejtori i BKSH-së, Piro Misha, falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë Ambasadën e Francës në Shqipëri, Ministrinë e Kulturës së Francës dhe, në mënyrë të veçantë, Pierre Raynaud, këshilltar kulturor në Ambasadën Franceze, që bënë të mundur ardhjen e këtij koleksioni në Shqipëri.
Për veprën dhe kontributin e Cabanes-it, mbajti një fjalë të ndjerë edhe prof. Neritan Ceka, i cili jo vetëm që e ka njohur nga afër historianin, por edhe ka bashkëpunuar me të.
Biblioteka vetjake e Pierre Cabanes-it përbëhet përafërsisht nga 1500 koleksioneve librash, revistash, albumesh, pa përllogaritur një mori letrash, fotokopjesh, letërkëmbimesh, ftesash; pra, një pjesë e jetës së tij profesionale, e cila do të jetë në dispozicion të lexuesit shqiptar në një sallë të veçantë, dedikuar profesorit të historisë së botës antike.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë gjithë javës në Katin I të BKSH-së./ata