Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “pritshmëritë e mia janë ato që kanë qenë, kur askush nuk e besonte se ky do bëhej një vend ku do vërshonin turistët, kur filluam programin e Rilindjes Urbane”.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “kur filluam të përmirësojmë imazhin e Shqipërisë jo thjesht si imazh, por si përmbajtje, kur e kthyem Shqipërinë në një vend ku të gjithë flisnin në 2013: Krimi, krimi, krimi, hajdutët, hajdutët, hajdutët, na morën pulat e na morën gjelat, e na morën delet, e na vodhën shtëpinë, në një vend që ka një nivel sigurie dhe rendi dhe që është vendi me numrin më të ulët të vjedhjeve të shtëpive në Evropë”.

“Jo sipas nesh, por sipas statistikave ndërkombëtare, dhe ku njerëzit që vijnë ndjehen si në shtëpinë e tyre. Dhe që ndjejnë atë siguri që ndjejnë gjithnjë e më pak në shumë vende të mëdha, në shumë qytete të mëdha, ku nuk ecën dot natën vetëm në zona të caktuara, sepse nuk dihet me sa pjesë të rrobave mangut kthehesh në shtëpi”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “është një proces që ka filluar dhe unë e kam pasur këtë pritshmëri prej kohësh dhe tani vetëm do të përshkallëzohet si sukses i madh i Shqipërisë, si për fat të keq, disa këtu e kanë tmerr”./ata