Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se jo vetëm Kryemadhi, por janë të paktën edhe 5 raste të tjera nepotizmi që do të largohen nga drejtimi i PL. Deklaratën, Meta e bëri vetëm pak orë para se të mbledhë Komitetin Drejtues të Partisë së Lirisë, sot në ora 18:00, ku votohen anëtarët e rinj të kryesisë.
Në mbledhjen e sotme, Komiteti Drejtues do të votojë Kryesinë e re, ndërsa pritet largimi i Kryemadhit pas ndryshimeve të Konventës të së shtunës.
Para mbledhjes, vetë Presidenti i PL në një deklaratë për mediat tha se ndryshimet do të zgjidhin 6 raste të nepotizmit brenda partisë, jo vetëm Kryemadhi.
“Departamenti i organizimit ka njoftuar të gjithë anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar, të cilët duhet të respektojnë nenin që zgjidh, problematikën e nepotizmit, dhe janë 6 raste të tilla deri tani, për të bërë zgjidhjen më të mirë! Qoftë përmes tërheqjes së dikujt, duke u angazhuar në forume të tjera të Partisë së Lirisë, apo përmes votimit midis të dy personave, të cilët e kanë një lidhje të tillë", tha Ilir Meta.
Kryesia e Partisë së Lirisë vendosi t’i propozojë Komitetit Drejtues Kombëtar votimin e anëtarëve të Kryesisë aktuale për të formuar Kryesinë Politike të Partisë së Lirisë. Kryesia e Partisë së Lirisë propozoi të hedhë në votim, për anëtarë të rinj të Kryesisë Politike edhe emrat, si më poshtë vijojnë:
1. Myrvete Asqeri (Anëtare e KDK)
2. Adriatik Hoxha (Anëtar i KDK dhe Sekretar për Sportet)
3. Ana Gjidiaj (Anëtare e KDK)
4. Bedri Merhori (Anëtar i KDK)
5. Besnik Jakaj (Anëtar i KDK)
6. Fatjona Selimaj (Anëtare e KDK, Kryetare e PL, Fushë-Arrëz)
7. Erisilda Hoxha (Anëtare e KDK, Kryetare e PL Kuçovë)
8. Brunilda Salaj (Anëtare e KDK)
9. Pegiola Toro (Anëtare e KDK dhe Këshilltare, Bashkia Roskovec)
10. Denis Hidri (Anëtar i KDK)
Po ashtu kryesia e Partisë së Lirisë në zbatim të Statutit të miratuar në Konventën Kombëtare, vendosi t’i propozojë Komitetit Drejtues Kombëtar, që mblidhet nesër, datë 30 prill 2024, ora 18:00, votimin e katër Zëvendës Sekretarëve të Përgjithshëm, si më poshtë vijon:
1. Silva Caka - Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun, juriste
2. Brunilda Haxhiu - Sekretare për Familjen dhe Kundër Shpopullimit – filozofi-sociologji
3. Anxhela Shenaj - Këshilltare, Bashkia Vlorë, -ekonomiste
4. Bedri Merhori - Anëtar i KDK - ekspert i sigurisë /Shqiptarja