Kosova ka arritur të marrë vlerësimin e parë kreditor sovran.

Agjencia globale e vlerësimit Fitch Ratings i ka dhënë Kosovës vlerësimin BB-, duke treguar perspektivë të qëndrueshme dhe duke e pozicionuar vendin në mënyrë të favorshme në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në Prishtinë u mbajt edhe një ceremoni për të shënuar marrjen e vlerësimit të parë kreditor në historinë e Kosovës të organizuar nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria që nga fillimi është përkujdesur për të ndërmarrë politika të qëndrueshme të cilat do të shërbenin si katalizatorë për rritjen ekonomike dhe pozicionimin makrofiskal të favorshëm të Kosovës.

“Në raportin e publikuar, agjencia vlerëson se faktorët kyç që kanë ndikuar në vlerësimin BB- për Kosovën kanë qenë: ulja e deficitit buxhetor, rritja ekonomike, politikat e besueshme fiskale, rritje e vazhdueshme e mbledhjes së tatimit dhe niveli i ulët i borxhit publik në raport me bruto produktin vendor”, theksoi Kurti.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt, e cila ishte e pranishme në ceremoni, tha se ndër tjera ky vlerësim kreditor i Kosovës tregon se si transparenca mund ta çojë një vend tek benefitet.

“Ky vlerësim kreditor tregon rritjen ekonomike të cilën e ka arritur Kosova që nga shpallja e pavarësisë dhe shtron mundësitë për investime në sektorin publik në të ardhmen”, theksoi Devitt.

Vlerësimi kreditor sovran është një matës kryesor i aftësisë kreditore të një vendi dhe kapacitetit për të përmbushur detyrimet financiare. Deri më tani Kosova ka qenë vendi i vetëm evropian pa vlerësim kreditor sovran dhe kjo mungesë ka kufizuar qasjen e saj në tregjet financiare globale, ka penguar prurjet e investimeve të huaja dhe ka rritur koston e kapitalit.

Ky vlerësim pritet që të sjellë avantazhe të shumta si uljen e kostos së huamarrjes, mundësitë e shtuara për tërheqjen e investimeve të huaja, rritjen e qasjes në tregjet globale të kapitalit, nxitjen në njohjen ndërkombëtare dhe reforma të përshpejtuara strukturore ekonomike.

Sa i përket vendeve të rajonit, Shqipëria ka nivelin e njëjtë sikurse Kosova, me vlerësim kreditor BB-, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë vlerësimin BB+, Bosnjë e Hercegovina ka B+, Kroacia ka BBB+, Gjermani AAA, Italia BBB, Greqia BBB-, kurse Pakistani CCC+.

Shkallët e vlerësimit të kredive nga Fitch Ratings bëhet duke përdorur kategoritë: AAA (Cilësia më e lartë e kredisë), AA (Cilësi shumë e lartë e kredisë), A (Cilësi e lartë e kredisë); BBB (Cilësi e mirë e kredisë), BB (Spekulative), B (Shumë spekulative), CCC (Rrezik i konsiderueshëm i kredisë), CC (Nivel shumë i lartë i rrezikut të kredisë), C (Pranë mos pagesës), RD (Mospagim i kufizuar) dhe D (mos pagim)./aa