Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Partia Demokratike po investon shumë në aspektin politik, për t’i dhënë fund telenovelës së dy viteve të fundit që i ka kushtuar shtrenjtë opozitës, duke i lejuar qeverisje të lirë Ramës dhe kabinetit të tij.

Në një intervistë televizive, Basha foli për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, miratimit të rezolutës nga Asambleja Parlamentare e KiE, për konfiskimin e aseteve shtetërore ruse që janë ngrirë dhe krijimin e instrumenteve për t’ia vënë ato në dispozicion të Ukrainës.

“Drita jeshile nga Asambleja Parlamentare është lajmi më i mirë për Kosovën në këto kohë dhe hap rrugën për finalizimin e këtij vendimi nga Komiteti i Ministrave, që Kosova të marrë vendin që i takon si anëtare e plotë e KiE. Lajm fantastik për të gjithë, sidomos për serbët e Kosovës, të cilët janë përdorur për një kohë të gjatë si dash për kurban nga Beogradi, dhe që tashmë mund të gëzojnë mbrojtje nga Konventa dhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, në vend që të nëpërkëmben nga Beogradi për të përmbushur axhendën e tyre revizioniste në Ballkan”, tha Basha.

Kreu i PD, gjithashtu u foli edhe për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit, zhvillimet e fundit politike si amnistia për të korruptuarit, si dhe zhvillimet brenda PD.

“Shumica e shqiptarëve nuk e mbështesin gjendjen aktuale. Ata besojnë se Shqipëria po shkon në rrugën e gabuar. Shumica e shqiptarëve duan ndryshimin. Sfida e opozitës është të krijojë një shumicë politike nga kjo shumicë e qytetarëve, që pakënaqësia të kthehet në votë dhe që këta njerëz të votojnë ndryshimin. Por që të ndodhë kjo, duhet të bëjmë një ofertë për ndryshim, një ofertë të besueshme, realiste, si dhe instrumentet që kjo ofertë jo vetëm t’u paraqitet qytetarëve, por t’i çojë ata në kutitë e votimit dhe të fitojë votat e tyre. Për këtë, Partia Demokratike po investon shumë në aspektin politik, për t’i dhënë fund telenovelës së dy viteve të fundit që i ka kushtuar shtrenjtë opozitës, duke i lejuar qeverisje të lirë Ramës dhe kabinetit të tij”, deklaroi Basha./ata