Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka publikuar Librin Jeshil “Doganat 2023 dhe prioritetet 2024”, në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Ky është viti i tretë i botimit të Librit Jeshil në formatin e një raporti vjetor mbështetur në vizionin e Administratës Doganore për lehtësimin e tregtisë së ligjshme duke ruajtur ekuilibrin e duhur me analizën e riskut dhe kontrollet pas-zhdoganimit.

Drejtori Përgjithshëm, Genti Gazheli në fjalën hyrëse, theksoi se viti 2023 ishte sfidues për të ardhurat nga doganat në kushtet e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe dollarit amerikan. Por theksoi ai, Administrata Doganore arriti rekordin e të ardhurave në masën 2.14 miliardë dollarë dhe ndryshimin e imazhit drejt një institucioni në shërbim të biznesit, profesional dhe etik.

Performanca në rritjen e të ardhurave doganore nga mallrat e akcizës, si barometri më i mirë i performancës, i pandikuar nga efektet e kursit të këmbimit, solli rritjen e sasive të deklaruara të konsumit të produkteve kryesore për vitin 2023, si karburantet me 646 455 tonë, cigaret 3 135 tonë, kafeja 7 616 tonë etj.

Fushatat e ndërgjegjësimit të biznesit, të realizuara me partnerët, mundësuan certifikimin e Operatorëve të Autorizuar Ekonomik, që tashmë kanë arritur në 13 dhe që përfitojnë lehtësitë në procedurat doganore dhe kalimin në “green lines”, duke shkurtuar kohën dhe kostot e biznesit.

Vlerësimi i partnerëve ndërkombëtarë si BE, OBD, FMN, Banka Botërore dhe OBT erdhi pas një angazhimi të administratës doganore në realizimin e projekteve të asistencës teknike dhe procesit “screening”, duke treguar një performancë pozitive në raportimet, pyetësorët dhe aktivitetet ndërkombëtare.

Doganat ofrojnë sot rreth 39 shërbime dhe 4 aplikacione online dhe me 17 shërbime të tjera, pasaportat e të cilave janë gati për zbatim gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 arrijmë objektivin për ta kthyer doganën 100% dixhitale.

Në prioritetet e vitit 2024, Drejtori i Përgjithshëm veçon përdorimin e të dhënave dhe inteligjencës artificiale në ndërtimin e strategjive të analizës së riskut bazuar mbi modele të ofruara nga partnerët, kryesisht FMN, BB, OBD, për të fokusuar energjitë dhe monitorimin drejt subjekteve me profil risku më të lartë dhe duke lehtësuar tregtinë e ligjshme dhe mbrojtur konkurrencën e ndershme./ata