Të paktën 265 sportistë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga tetori i kaluar, tha sot Federata Palestineze e Futbollit.

“Në mesin e viktimave gjenden lojtarë, administratorë dhe staf teknik, përfshirë 11 në Bregun Perëndimor”, u tha gazetarëve Jibril Rajoub, kreu i shoqatës.

“Dhjetëra sportistë mbeten nën rrënoja dhe ne nuk jemi në gjendje të llogarisim numrin e tyre”, tha ai.

“Shumë sportistë mbahen gjithashtu në burgjet izraelite”, shtoi Rajoub.

Rajoub tha se shoqata i ka paraqitur një projektrezolutë organit qeverisës të futbollit FIFA për ta sjellë Izraelin para përgjegjësisë.

“Shoqata e Futbollit e Izraelit ka shkelur rregulloret e FIFA-s për disa çështje”, tha ai, duke përmendur refuzimin e Izraelit për t’u zhvilluar ndeshje futbolli në territoret palestineze.

“Nuk jemi në gjendje të organizojmë një ligë apo edhe të presim kualifikueset e Kupës së Botës në tokën tonë”, shtoi ai.

“Izraeli shkatërroi të gjitha institucionet sportive në Gaza dhe i ktheu ato në burgje të ngjashme me burgjet e Guantanamos dhe Abu Ghraib”, shtoi Rajoub.

Sipas shifrave palestineze, më shumë se 55 objekte sportive janë shkatërruar në sulmet izraelite.

Izraeli ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë dhe ka plagosur 78.500 të tjerë në ofensivën brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.

Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë akte të tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa