Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, punimet janë shtrirë në katër lotet e para.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi punimet në lotin 4 të aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.

Balluku deklaroi se Korridori VIII është një nga akset më të rëndësishme, pasi ndërlidh Shqipërinë edhe me vendet e rajonit.

“Siguron lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Do të ndërtohet edhe një pikë e re kufitare. Lidhja e re kufitare do të bëhet me një tunel prej 6 km që do të lidh Korridorin VIII afër urës së Bushtricës. Ky korridor do të lidhet më pas me aksin Qukës-Qafë Plloçë për kalimin e automjeteve që shkojnë drejt kufirit me Greqinë pranë Kapshticës. Korridori VIII do të jetë i lidhur me të gjitha akset e tjera, ato që janë në ndërtim dhe ato që do të ndërtohen në të ardhmen, si Kashar-Lekaj apo Elbasan-Rrogozhinë, akse që do të lidhen dhe me Portin e ri të Durrësit”, u shpreh Balluku.

Nga ana tjetër, Balluku tha se loti i katërt ka një rëndësi të madhe për qytetin e Librazhdit, i cili do të ketë një siguri më të madhe rrugore, sepse nuk do të ketë më një aks kombëtar që e përshkon.

Ky aks përfundon në muajin shtator të vitit 2025.

Dy lotet e para të aksit Elbasan-qafë Thanë shtrihen përgjatë shtratit të lumit Shkumbin, ndërkohë që lotet tre dhe katër vijojnë përgjatë kodrave në zonën e Murrashit dhe Librazhdit.

Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII. Ndërtimi i këtij aksi do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve duke shkurtuar kohën e udhëtimit si dhe duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore./ata