Nga buka te makaronat, orizi, vaji i lulediellit, birrat, preparatet larëse deri te baret dhe restorantet, si shfaqet ecuria e konsumit? Sa arriti ta kompensojë ardhja e turistëve të huaj, konsumin e të larguarve në emigracion, pyet Dorina Azo në artikullin e saj në Monitor.

Ardhja e 10 milionë turistëve vitin e kaluar, apo rreth 35% më shumë se në vitin 2022, arriti të zëvendësojë rënien e kërkesës për sipërmarrësit, e shkaktuar nga ndryshimet demografike vetëm gjatë periudhës korrik-shtator, pasi në muajin tetor 2023, konsumi iu rikthye tendencës së rënies.

Importuesit e drithërave, orizit dhe makaronave pohojnë se konsumi i popullatës vijon të pakësohet edhe në 3-mujorin e parë të 2024-s, për shkak të emigrimit të të rinjve dhe shpopullimit të zonave malore.

Ndërsa ardhja e turistëve para fillimit të sezonit tradicional turistik po ndihet më tepër nga strukturat e shërbimit dhe tregtisë në zonat afër qendrës së Tiranës.

Importet e makaronave dhe orizit shënuan rënie vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Doganave, sasia e importuar me oriz në 2023 ishte 19% më pak se në 2022.

Ulje të importeve vjet pati edhe për produktin e makaronave, me rreth 5%, në raport me vitin paraardhës.

Në muajt janar-mars 2024, importet e makaronave dhe orizit janë shtuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Orizi shënoi rritje me 42% dhe importet e makaronave u shtuan me 3,2%.

Importuesit e tyre pohojnë se shtimi i të hyrave nuk u ndikua nga përmirësimi i konsumit, por nga rritja e sasisë së magazinuar, për shkak të problematikave në tregjet e huaja.

“Nëse më parë, e bënim 2-3 javë para blerjeve planifikimin për transportin e mallrave nga vendet e origjinës, tashmë duhet ta parashikojmë transportin e mallit tre muaj para se të porosisim blerjet”, pohoi drejtuesi i një prej kompanive importuese të mallrave të shportës ushqimore.

Ecuria e kërkesës për produkte, si: oriz, makarona dhe sheqer, sipas tij shfaqi rënie edhe në muajin pasardhës të Ramazanit dhe veçanërisht te zonat rurale, për shkak të shpopullimit.

Rikuperimi i kërkesës për blerje pritet të nisë nga muaji qershor deri në fund të shtatorit, për shkak të turizmit dhe fillimit të sezonit të prodhimit të reçelrave dhe kompostove.

Për importuesit, ardhja e turistëve të huaj vitin e kaluar rriti shumë pak sasinë e shitjeve të produkteve të shportës ushqimore.

Kërkesa u rrit më tepër për pijet freskuese, alkoolike dhe lëngjet e frutave.

Ardhja e turistëve rezulton se nuk pati efekt të lartë te konsumi final i popullatës, sipas të dhënave të INSTAT. Në vitin 2023, konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96% nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë.

Madje, në gjysmën e dytë të vitit, kur kulmon turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta (2.21% në tremujorin e tretë dhe 1.55% në të katërtin).

Importet e grurit rriten, kërkesa, në rënie

Në periudhën janar-mars 2024, importet e grurit u rritën me 79% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, sipas të dhënave të doganës.

Pas pandemisë së Covid-19, kjo është sasia më e lartë e grurit të importuar në 3-mujorin e parë të vitit. Importet kanë ndjekur trendin rritës vjetor. Për 2023, shtimi i tyre ishte me 11% krahasuar me 2022.

Grosistët e importit të grurit po shfrytëzojnë në maksimum magazinimin e drithërave me qëllim parandalimin e humbjeve nga ndryshimet e mundshme të çmimit, pas korrjeve të muajit korrik.

Për kryetarin e Shoqatës së Përpunuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, shtimi i importeve nuk është ndikuar nga rritja e kërkesës, por nga masat e fabrikave të blojës për të krijuar rezervat e periudhës dimër-pranverë, pasi ende nuk dihet se si do të jetë çmimi i grurit për korrjet e reja.

Z. Haxhiymeri pohon se konsumi vijon të jetë me rënie në muajt e parë të 2024, duke ndjekur këtë tendencë që nga përfundimi i sezonit turistik.

“Konsumi është në rënie prej disa muajsh. Më dobët ishin muajt shkurt, mars. Edhe fundviti ishte më i dobët se një vit më parë. Pra shitjet nga muaji tetor, deri tani, nuk kanë qenë të mira.

Nuk ka kërkesë, nëpër fshatra nuk ka njerëz fare, por edhe qytetet janë dobët. Shpresojmë që konsumi të rritet disi me turizmin, pasi mendohet se bilanci i atyre që largohen në afatgjatë ose me pushime me ata që vijnë të jetë në favor të këtyre të fundit.”

Pas largimit të turistëve, nga muaji tetor dhe deri tani, konsumi i bukës dhe ëmbëlsirave vijon të jetë në rënie sipas drejtuesve të disa prej furrave kryesore në vend.

Me përfundimin e sezonit turistik, në muajin tetor, sipas tyre rënia e kërkesës për produktet e brumit dhe ëmbëlsirave ishte 20% krahasuar me vitin paraardhës, përveç shitjeve të produkteve fast food, që nuk shënuan pakësim.

Në 3-mujorin e parë 2024, rënia e konsumit për produktet e brumit dhe ëmbëlsirave është thelluar. Për prodhuesit, pakësimi i konsumit është ndikuar nga emigrimi, veçanërisht të rinjve, ndërsa ardhja e turistëve të huaj nxit rritjen e kërkesës vetëm në periudhën e sezonit.

Hysen Caka, administrator në “Caka Group”, thotë se në muajt janar-mars 2024, konsumi i bukës është ulur me 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Pakësimi i konsumit, sipas tij, është më i lartë për produktet e pastiçerisë. Kërkesa për ëmbëlsirat ka rënë me 70% krahasuar me vjet.

“Në 3-mujorin e parë të vitit, konsumi i bukës dhe ëmbëlsirave ka shënuar rënie të lartë. Mendoj se arsyeja kryesore është emigrimi i të rinjve apo pjesës më vitale të shoqërisë jashtë vendit.

Shumica e popullsisë së mbetur është e plakur dhe konsumon sasi të ulëta të këtyre produkteve.

Një tjetër faktor që ka ndikuar në këtë periudhë te rënia e kërkesës është edhe muaji i agjërimit. Me përfundimin e muajit të Ramazanit, presim të kemi një situatë më të qartë për analizimin e faktorëve ndikues”, thekson ai.

Edhe Ali Dedolli, drejtues i rrjetit të furrave dhe dyqaneve të shitjes së bukës dhe pastiçerive “Alna Bakery”, pohon se pas largimit të turistëve të huaj, tendenca e konsumit vijon të mbetet në rënie. Sipas tij, shkak kryesor mbetet largimi i popullatës në emigracion.

Shtohen shitjet në supermarketet afër qendrës nga turistët

Në tregun e pakicës, kërkesa për produktet e shportës veçanërisht të mallrave bio, pije dhe detergjentë është rritur në periudhën janar-mars 2024 sipas përfaqësuesve të rrjetit të supermarketeve “Big Market” e nxitur nga ofertat e çmimeve.

“Në 3-mujorin e parë të këtij viti ka pasur rritje të konsumit për produktet kryesore të shportës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje është ndikuar edhe nga ofertat e shumta të rrjetit për kategoritë e mallrave, si: produkte shporte, produkte të freskëta, snack dhe pije, si dhe për produktet e kujdesit personal dhe detergjentë.

Ajo që vihet re është një kujdes i veçantë që klientët tani i kushtojnë produkteve të freskëta dhe bio”, pohojnë nga “Big Market”.

Sivjet ka pasur rritje të shitjeve në supermarketet afër qendrës për shkak të numrit të lartë të turistëve.

“Në pikat e shitjes të rrjetit ‘Big Market’ tek sheshi ‘Willson’ dhe ‘9-katëshet’ në Tiranë ka pasur një xhiro të konsiderueshme të ndikuar edhe nga klientët turistë që vizitojnë vendin tonë gjithmonë e më të shumtë në numër.

Në muajt në vazhdim pritet rritje e xhiros edhe në pikat turistike bregdetare si: Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Sarandë”, vlerësohet nga rrjeti i supermarketeve “Big Market”. Ndërsa çmimet e shportës ushqimore mbeten të pandryshuara.

Importet e misrit për janar-mars rriten 100%

Në një periudhë kur fermerët shqiptarë mbajnë stok të pashitur në hambarë misrin, për shkak të rënies së çmimit, importet nga jashtë shënojnë rritje të lartë.

Në periudhën janar-mars, sipas të dhënave të Doganave, importet e misrit u rritën me 100%. Për vitin 2023, importet u rritën me 49% më shumë së në 2022.

Misri në vend përdoret si ushqim për blegtorinë. Por, sipas fermave vendase, sasia e misrit që përdoret për blegtorinë blihet nga importi, pasi cilësia e prodhimit vendas është e ulët.

Për shkak të mungesës së tregut të shitjes, fermerët parashikohet të reduktojnë edhe të mbjellat me misër me nisjen e sezonit të ri në muajin prill.

“Edhe për misrin është e njëjta situatë si për grurin, sasia e pashitur është e lartë. Për këtë arsye sivjet me nisjen e sezonit të prodhimit pritet që të mbjellat me misër në zonën e Korçës të jenë 10 deri në 15% më pak krahasuar me vjet”, pohoi më herët Vasfi Sherifi, përfaqësues nga AGROVAS-SHE kompania prodhuese dhe tregtuese për fara, fidanë dhe inpute bujqësore në fshatin Pojan të Korçës.

Brikel Plasa, nga fshati Pojan, pohoi më herët se parashikon të mbjella 50% më pak tokë me misë se vjet pasi mungon tregu i shitjes.

“Çmimi i misrit aktualisht në treg është 23 deri 25 lekë/kg nga 43 lekë për kg që ishte vjet. Çmimi aktual është nën kostot e prodhimit. Humbjet janë të larta sidomos te fermerët që paguajnë koston e punimit të misrit, naftën, magazinimit të produktit”, tha ai.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ishte në 56,6 mijë ha. Krahasuar me 2021 sipërfaqja e tokës së mbjellë me misër ra rreth 3%.

Turizmi nxit shitjet e vajit të lulediellit dhe detergjentëve në HoReCa; Konsumi familjar, në rënie nga emigracioni

Importet e periudhës janar-tetor 2023 për grupin “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale”, sipas të dhënave të INSTAT, ranë me 6% krahasuar me vjet. Në periudhën janar-shkurt 2024, importet e grupit u rritën 32% krahasuar me vitin paraardhës.

Importuesit dhe ambalazhuesit e vajit të lulediellit pohojnë se aktualisht, ecuria e shitjeve është normale, ndërsa konstatohet diversifikim i konsumit.

“Shitjet më të larta janë të përqendruara në HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering), ku shiten më tepër ambalazhimet 5 litra të vajit të lulediellit. Shitja e tyre është nxitur edhe nga shtimi i numrit të turistëve që qëndrojnë në apartamente me qira ditore.

Kërkesa për vajin e lulediellit me paketim 1 litër, që tërësisht blihet nga familjarët është në rënie. Faktori kryesor që ka pakësuar shitjet është rënia e popullsisë prej emigrimit”, pohoi një nga drejtuesit e kompanive ambalazhuese të vajit të lulediellit.

Ardhja e turistëve në muajt e verës vitin e kaluar ndryshoi tërësisht konsumin për vajin e lulediellit. Deri në fillim të muajit qershor 2023, importuesit pohonin se shitjet ishin rreth 40% më të ulëta se vjet, për shkak të emigrimit të popullsisë dhe mbiprodhimit të vajit të ullirit.

Në periudhën janar-tetor 2023, shitjet e vajit të lulediellit u rritën 10 deri në 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022, sipas drejtuesit të një prej kompanive importuese të vajit. Arsyeja kryesore e shtimit të shitjeve, sipas tij, mbetet numri i lartë i turistëve.

“Shitje të vajit të lulediellit ka pasur më tepër te supermarketet dhe hotelet në zonën e Durrësit dhe Vlorës. Në muajin nëntor, me largimin e turistëve ka pasur rënie të shitjeve, por parashikojmë shtim të tyre në dhjetor nga festat e fundvitit.

Krahasuar me vjet, shitjet e vajit të lulediellit janë më të larta. Përveç turistëve, ka pasur ndikim edhe te rënia e prodhimit të vajit të ullirit”, pohoi më herët një prej importuesve.

Faktor tjetër që ka ndikuar te përmirësimi i kërkesës për këtë produkt është edhe ulja e çmimit, ku tashmë prej një viti në treg janë stabilizuar çmimet me shumicë për këtë produkt.

Vaji i lulediellit po tregtohet me shumicë me çmim nën 200 lekë për litër (150 deri në 180 lekë për litër).

Rënia e çmimit të vajit të lulediellit nisi në muajin qershor 2022, periudhë në të cilën filloi të importohet vaji nga depozitat e Ukrainës drejt vendeve kufitare, pasi transporti detar ishte i bllokuar nga lufta.

Në muajin korrik 2022, çmimi i vajit u ul me 24% krahasuar me çmimin e shitjes pas luftës.

Pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe vështirësive të krijuara në importin e vajit të lulediellit, çmimet në tregun shqiptar u rritën me rreth 33%.

Në muajin mars 2022, çmimi i vajit të lulediellit u tregtua me 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër në muajin shkurt (32,5% rritje). Pas kësaj periudhe, çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill, çmimi i vajit me pakicë arriti pikun 400 lekë për litër.

Për importuesit, ndikim te shtimi i shitjeve ka pasur edhe rënia e prodhimit të vajit të ullirit. Prodhimi i vajit të ullirit, sipas fermerëve dhe fabrikave përpunuese, sivjet është gati 60% më pak se vjet.

Ndërsa çmimi i vajit të ullirit të shitur nga fermeri ka arritur në 800 lekë për litër, 50% më i shtrenjtë se vjet dhe vaji i ambalazhuar po tregtohet 1,200 deri në 1,300 lekë për litër.

Në muajt janar-shkurt, importet e grupit “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë”, sipas të dhënave të INSTAT, u shtuan 23% krahasuar me vjet.

Importuesit e preparateve larëse thanë se ka pasur shtimi të shitjeve te produktet për paketim familjar, e nxitur nga rritja e numrit të turistëve që qëndrojnë në apartamente me qira ditore./Monitor