Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin pritet ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
Kjo është bërë e ditur në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.
Ajo ka njoftuar se në Kushtetuese do ta çojnë një draftstatut të përgatitur nga vetë qeveria dhe jo draftin evropian.
Sipas letrës së Gërvallës, qeveria po punon në një draftstatut të inspiruar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).
Pas letrës së zotimit të datës 23 mars 2024, të nënshkruar nga lidershipi politik i Kosovës, përkatësisht presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, po ju shkruaj për t’ju informuar për hapat konkretë që po ndërmarrim në përputhje me angazhimet tona pas votimit për anëtarësim. Që nga 17 prilli 2024, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të prekshëm në drejtim të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë dhe aneksit të zbatimit të saj, duke përfshirë Asociacionin si një nga zotimet e pasanëtarësimit. Në përputhje me frymën e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të Marrëveshjes Bazë, ne tashmë kemi filluar konsultimet me përfaqësuesit e pjesëtarëve të komunitetit serb për t’i marrë parasysh nevojat e tyre. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës po përgatit një draftstatut për Asociacionin, të inspiruar nga FES-i që do të dërgohet në Kushtetuese deri në fund të majit 2024”, thuhet në letrën e Gërvallës.
Gërvalla: Drafti siguron respektimin e Kushtetutës dhe pamundëson ndërhyrjet nga jashtë
Gërvalla ka thënë se letra drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas saj, ky mekanizëm i përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës.
“Letra përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, ka thënë Gërvalla.
Gërvalla ka thënë se ky draftstatut siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë, sipas saj, pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë.
“Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për t’i integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat. Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”, ka shkruar Gërvalla.
Tutje, ajo ka shkruar se pas zotimit të bërë në këtë letër, presin nga Këshilli i Evropës që të që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë.
Letra e Gërvallës:
Ky veprim i qeverisë vjen në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ku anëtarësimi i Kosovës në KiE ende nuk është futur në rend dite.
Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Kosovës të bëjë hapa konkretë për Asociacionin në mënyrë që të anëtarësohet në KiE.
Çfarë parasheh draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga FES?
Në fund të janarit të vitit 2023, FES publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.
I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut i hartuar nga FES, parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.
Sipas FES-it, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.
Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e Asociacionit.
FES-i ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Dokumenti i FES-it parasheh që Asociacioni të ketë statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia japë Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.
Sipas dokumentit në organizatës gjermane, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.
Ndërkaq, sa i përket buxhetit, në këtë draft-statut është paraparë që Asociacioni të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, nga të ardhurat e shërbimeve që ofron ky organ, pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.
Gjatë rishikimit të buxhetit, sipas dokumentit, Qeveria e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm mund të kenë qasje. Auditori po ashtu është paraparë të bëjë kontrollet për shpenzimet e këtij organi.
Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
Megjithatë, Kosova deri më tani nuk kishte ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.
Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik./OraNews