Në qytetin e Pogradecit një tjetër bllok banimi po ndryshon, falë ndërhyrjes në fasadat e pallateve të para ’90-ës.

Bashkia e Pogradecit ndau në rrjetet sociale pamje nga puna që po kryhet për rikonstruksionin e këtyre fasadave.

“Me ndërhyrjen në këto 8 pallate jo vetëm ndryshon pamja e qytetit, por me sistemin kapot që përdorim rritim eficiencën e energjisë dhe mundësojmë ambiente më të ngrohta për familjet”, theksoi bashkia.

Sipas bashkisë, kjo punë do të vijojë periodikisht me të gjitha lagjet e qytetit.

Ndërhyrja rigjeneruese në këto pallate financohet nga qeveria shqiptare dhe zhvillohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Veshja e fasadave me sistemin kapot rrit eficiencën energjetike dhe qëndrueshmërinë e objekteve për një periudhë më afatgjatë.

Në Pogradec po kryhen një sërë investimesh në infrastrukturë dhe jo vetëm, për të mirëpritur turistët gjatë sezonit turistik.

Pogradeci rezulton jo vetëm një nga qytetet turistike më të preferuara, por vitin e kaluar ka shënuar edhe një rritje të konsiderueshme në netqëndrimeve në hotelet dhe bujtinat./ata