Profesori amerikan i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Charles Kupchan ka reaguar në lidhje me kërkesën e vazhdueshme të Bashkimit Europian për themelimin e Asociacionit ku sipas tij kjo nismë është e rëndë për Qeverinë kosovare.

Ai më tej shtoi se BE-ja dhe Këshilli i Evropës po krijojnë nxitje për të bërë ato vendime të rënda, duke ofruar levë politike, që Kurti të thotë se nëse duam pranimin në Këshillin e Evropës, duhet të bëjmë këtë.

“Mendoj që vendimi për përgatitje dhe implementimin e Asociacionit është vendim i rëndë dhe i dhimbshëm për Qeverinë e Kosovës. Është, siç themi ne në SHBA, sikur të nxjerrësh dhëmbin. Është i dhimbshëm, njerëzit nuk duan ta bëjnë. Çfarë shohim këtu është që BE-ja, Këshilli i Evropës krijojnë nxitje për të bërë ato vendime të rënda, duke ofruar levë politike, që Kurti të thotë se nëse duam pranimin në Këshillin e Evropës, duhet të bëjmë këtë”, tha ai.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar do veprojë njësoj edhe ndaj Serbisë, duke rritur presionin për ta pranuar Marrëveshjen e Ohrit. Ai u shpreh se Këshilli e Evropës duhet të shfrytëzojnë levën që të shtyjnë këtë proces të normalizimit përpara ndërsa shtoi se ata mund të shtyjnë edhe Vuçiçin.

“Taktikë e njëjtë do të përdoret edhe ndaj Serbisë. Marrë parasysh që kemi marrëveshje të gatshme, Marrëveshjen e Ohrit, marrë parasysh sa zor ka qenë që të shtyjnë Serbinë dhe Kosovën të lëvizin drejt implementimit të marrëveshje, shohim BE-në, Këshillin e Evropës, të shfrytëzojnë levën që të shtyjnë këtë proces të normalizimit përpara. Mendoj që këto janë çështjet për të cilat Evropa mund ta shtyjë Vuçiçin”, tha ai.

Profesori amerikan vlerëson se sjellja para drejtësisë të Radoiçiç do të marrë kohë. Kopchan shtoi se duhet të shohim Serbinë të bëjë më shumë, që të kërkojë llogari nga ata që janë përgjegjës për akte të dhunës, dhe për aktivitete tjera ilegale.

“Të dy palët, të dy qeveritë, kanë shumë punë për të bërë, pajtime për të bërë. Duhet të shohim Serbinë të bëjë më shumë, që të kërkojë llogari nga ata që kanë qenë përgjegjës për akte të dhunës, dhe për aktivitete tjera ilegale. Kjo është pjesë e procesit afatgjatë, për të shtyrë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes finale dhe për t’u bërë presion palëve të marrin vendime të vështira”, shtoi ai./GazetaDita