Më shumë se 3,500 njerëz vdesin nga viruset e hepatitit çdo ditë dhe numri global po rritet, paralajmëroi Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke bërë thirrje për veprim të shpejtë për të luftuar vrasësin e dytë më të madh infektiv.
Të dhënat e reja nga 187 vende treguan se numri i vdekjeve nga hepatiti viral u rrit në 1.3 milionë në 2022 nga 1.1 milionë në 2019, sipas një raporti të OBSH-së të publikuar që përkon me Samitin Botëror të Hepatitit në Portugali këtë javë.
Këto janë “tendenca alarmante”, tha në një konferencë për shtyp Meg Doherty, kreu i programeve globale të HIV-it, hepatitit dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Raporti thoshte se ka 3,500 vdekje në ditë në mbarë botën nga infeksionet e hepatitit, 83 për qind nga hepatiti B, 17 për qind nga hepatiti C.
Ka barna gjenerike efektive dhe të lira që mund të trajtojnë këto viruse.
Megjithatë, vetëm tre përqind e atyre me hep B kronik morën trajtim antiviral deri në fund të vitit 2022, thuhet në raport.
Për hep C, vetëm 20 përqind, ose 12.5 milionë njerëz ishin trajtuar.
“Këto rezultate bien shumë më poshtë objektivave globale për të trajtuar 80 përqind të të gjithë njerëzve që jetojnë me hep B dhe C kronik deri në vitin 2030,” tha Doherty.
Shkalla e përgjithshme e infeksioneve me hepatit ra paksa.
Por shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se raporti “paraqet një pamje shqetësuese”.
“Pavarësisht progresit global në parandalimin e infeksioneve të hepatitit, vdekjet po rriten sepse shumë pak njerëz me hepatit janë duke u diagnostikuar dhe trajtuar,” tha ai në një deklaratë.
Afrika përbën 63 për qind të infeksioneve të reja të hep B, megjithatë më pak se një në pesë foshnja në kontinent vaksinohen në lindje, thuhet në raport.
Agjencia e OKB-së u ankua gjithashtu se vendet e prekura nuk kishin akses të mjaftueshëm në barnat gjenerike të hepatitit dhe shpesh paguanin më shumë seç duhej.
Dy të tretat e të gjitha rasteve të hepatitit janë në Bangladesh, Kinë, Etiopi, Indi, Indonezi, Nigeri, Pakistan, Filipine, Rusi dhe Vietnam, sipas raportit.
“Qasja universale në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin në këto 10 vende deri në vitin 2025, së bashku me përpjekjet e intensifikuara në rajonin afrikan, është thelbësore për të rikthyer përgjigjen globale në rrugën e duhur”, tha OBSH në një deklaratë.
Hepatiti viral është vrasësi i dytë më i madh infektiv, i pari është tuberkulozi me diferencë të ngushtë./BalkanWeb