Atalanta është fituesja e Europa League. Skuadra bergamase, e udhëhequr nga kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, mundi në finalen e luajtur në “Aviva Stadium” të Dublinit, Irlandë, kampionët e sapokurorëzuar të Bundesligës gjermane.
Ishte Ademola Lookman, futbollisti që u shndërrua në hero të zikaltërve italianë, duke shënuar 3 gola përballë Bayern Leverkusen. Skuadra kampione e Gjermanisë mbrëmjen e kësaj të mërkure regjistroi humbjen e parë këtë sezon futbollistik. Skuadra e trajnerit Xabi Alonso ishte e pamposhtur, duke thyer edhe një rekord.
Kjo fitore e Atalantës së drejtuar nga trajneri Gasperini, do t’i japi mundësi Italisë të paraqitet me gjashtë skuadra në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm, ku pas Interit, Milanit, Juventusit, Atalantës dhe Bolonjës, pjesë e betejës në Ligën e Kampionëve tanimë do të jetë edhe Roma./ata