Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku zhvilloi këtë të enjte një takim me kryetarët e bashkive, ku diskutuan mbi disa vendime shumë të rëndësishme që do të marrë qeveria.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ, Mazniku bëri me dije se do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagës për punonjësit.
”Diskutuam me kryetarët e bashkive gjatë mbledhjes së Këshillit Konsultativ, disa vendime shumë të rëndësishme që do të marrim së shpejti në qeveri. Një nga ato është edhe rritja e konsiderueshme e pagave për punonjësit e aparatit të bashkive”, tha ai.
Sipas tij, pagat do të njehsohen, pavarësisht bashkisë, duke mos i diferencuar më ato sipas numrit të banorëve.
“Bashkitë do të përfitojnë edhe nga marrëveshja me Universitetin e Tiranës duke mundësuar kryerjen e praktikës së punës së studentëve sipas nevojave të tyre”, deklaroi Mazniku./ata