Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët njoftoi se arbërishtja tashmë është gjuhë zyrtare për shërbimet e gazetarisë dhe programeve në kanalet e RAI Calabria, në Itali.
Sipas QSPA-së, në publikimin e datës 25 maj 2024, në Gazetën Zyrtare me nr. 121, thuhet që gjuha arbëreshe do të jetë gjuhë zyrtare për shërbimet e gazetarisë dhe programet e RAI Calabria, në Itali.
Kjo arritje historike për komunitetet arbëreshe të Italisë do të shtrihet edhe në rajonin e Piemonte-s. Kontrata e Shërbimit për programet e RAI Calabria për vitet 2023-2028, zyrtarizon përdorimin e arbërishtes si gjuhë të pakicës gjuhësore historike arbëreshe e njohur nga ligji nr. 482/99.
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), ka katër vjet që përmes aktiviteteve, e konferencave ndërkombëtare thekson rëndësinë e bjerrjes së arbërishtes, në nivel komunitar, institucional dhe shkencor si një çështje jetike për komunitetet e arbëreshëve të Italisë, e cila bëhet realitet pas 49-vjetësh nga ligji i reformës së RAI 103/75, duke hedhur hapin e parë në rëndësinë që duhet të marrë çështja e gjuhës në shërbimet e gazetarisë dhe në arsim, në vendin pritës, Itali./ata