Prej datës 3 prill ka nisur zbatimi i ligjit për hapja e llogarive në bankat e nivelit të dytë për shtresat në nevojë, pensionistët dhe invalidët, duke siguruar shërbime me tarifa zero. Por përfshirja financiare në zonat rurale mbetet sfidë për Bankën e Shqipërisë.

I pranishëm në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës se, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, tha se, “ligji ka pak kohë që ka nisur zbatimin dhe ne po e ndjekim në vijimësi, për të bërë në të ardhmen me dije dhe rezultatet konkrete”.

Sejko u ndal në ecurinë e këtij procesi në zonat rurale.

“Zonat rurale që nuk mbulohen nga degë bankare, do t’iu adresohen degët e bankave në qytetet më të afërta. Po punohet për përfshirjen financiare në zonat rurale, përmes zhvillimit të digjitalizimit”,  tha ai.

“Ne po përpiqemi që të ndihmojmë rritjen e aksesit në financim të zonave rurale përmes digjitalizimit, pasi celulari ka përdorim të gjerë në zonat rurale dhe një nga format që mund të ndihmojë këtë proces, janë pagesat me celularë. Ndaj kemi avancuar me digjitalizimin, kemi licencuar disa kompani që bashkëpunojnë me bankat dhe synojmë që procesi open banking të përfundojë brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, me qëllim që nëpërmjet shërbimeve digjitale të përfitojnë zonat rurale”, u shpreh Sejko.

Guvernatori informoi se, Banka e Shqipërisë ka një plan me Postën Shqiptare, për moshat e treta në zonat rurale, që të përfitojnë nga ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike” (llogari me kosto zero).

Sipas tij, plani synon ta kthejë Postën në një nga instrumentet e pagesave, që do të shërbejë me funksione transfertash bankare posaçërisht për zonat rurale.

“Përmes zbatimit të këtij ligji ne synon nxitjen e përfshirjes financiare, reduktimin e përdorimit të pagesave cash në ekonomi dhe rritjen e digjitalizimit”, tha Sejko./ata