Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Ambasadorin e Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ky takim u zhvillua në prag dhe të vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Ankara dhe Istanbul ditët e ardhshme, ku në mesin e agjendës do të ketë mundësi të zhvillojë edhe një takim bilateral me Presidentin e Türkiyes Recep Tayyip Erdoğan dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Në Istanbul gjithashtu do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Türkiyes ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Türkiye si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.
Gjatë bashkëbisedimit me ambasadorin Angılı, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve.
“Dy vendet tona ndajnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale andaj dhe thellimi e përforcimi i tyre mbetet objektiv i dyanshëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Türkiyes dhe popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës./aa