4 milionë euro për votën e diasporës. Kjo është fatura paraprake financiare që do të duhet të dalë nga buxheti i shtetit nëse politika do të pranojë propozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në parlamentaret e 2025-ës diaspora të votojë nga aty ku jeton.
“Në një vlerësim që i kemi bërë paraprak kostos së sistemit aplikativ të rëegjistrimit të votuesve shkon në 2 milionë euro. Pak a shumë është zhvillimi i mëtejshëm i këtij sistemi për qëllim të realizimit të votimit”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
Shuma prej 4 milionë eurosh do të shërbejë për dy procese kyçe që mundësojnë votën e diasporës.
Ndërtimin e një aplikacioni të posaçëm që bën identifikimin biometrik dhe regjistrimin e shqiptarëve me vendbanim jashtë vendit dhe marrjen e fletës së votimit në mënyrë elektronike por dërgimin e saj me postë.
Në intervistën për Vizion Plus komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi sqaron se kostoja financiare është e konsiderueshme por ajo mund të ndryshojë në bazë të interesit që diaspora do të shfaqë për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Kostot janë për votues, pra nëse ka më pak votues do të ketë më pak votues. Nëse numri i votuesve do të rritet do të paguhen më shumë para për t’iu mundësuar këtyre votuesve të drejtën e votës. Ka kosto sepse 4 milionë euro, janë goxha para, por janë kosto të domosdoshme nëse do që ta realizosh këtë proces dhe në këto kushte”, shtoi Celibashi.
Thuajse 10 muaj nga parlamentaret e vitit të ardhshëm Ilirjan Celibashi i bie të njëjtës këmbanë, socialistët dhe “rithemelimi” të ndajnë mendjen nëse duan apo jo ta bëjnë votën e diasporës brenda këtij sesioni parlamentar.
“Nëse brenda këtij sesioni ne nuk do të kemi ndryshimet në kodin zgjedhor të tilla sikundër rekomandohet nga Gjykata Kushtetuese për votimin nga jashtë, ndoshta nuk është shumë e gjetur të them me siguri absolute se votimi nga jashtë për 2025-ën nuk mund të realizohet. Nëse ndryshimet vijnë në shtator apo në tetor nuk kemi kohë në dizpozicion të mjaftueshme për ta përgatitur këtë proces”, deklaroi Celibashi.
Diskutimet e deritanishme në grupin politik nuk i janë afruar marrëveshjes. PS kërkon që regjistrimi i diasporës të kalojë përmes portalit e-albania dhe votimi përmes postës shtetërore. Propozimi i “Rithemelimit” që përkon edhe me atë të Ilirjan Celibashit është që regjistrimin ta kryejë KQZ dhe që shprehja e vullnetit politik të “administrohet” nga një postë ndërkombëtare.
Në të gjitha rastet Ilirjan Celibashi është i mendimin se integriteti i procesit të votimit në distancë nuk cënohet dhe është e udhës që pavarësisht pretendimeve të palëve, ai duhet të ketë një herë të parë./Tema