Parku i lagjes 17 në Durrës nga sot mban emrin e akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit të mirënjohur, Moikom Zeqo.

 
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë familjarë, të afërm, miq e kolegë të shkrimtarit, historianit, publicistit, studiuesit të njohur të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar, njeriut erudit dhe veprimtarit politik, Moikom Zeqo.
 
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se “emri i Moikom Zeqos është i lidhur jo vetëm me Durrësin, të cilit me veprën e tij të shumanshme i dha nder e krenari, por në shkallë kombëtare e ndërkombëtare”.
 
Sipas saj, Moikom Zeqo ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e historisë dhe arkeologjisë duke përfaqësuar me dinjitet vendin tonë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare.
 
“Në nderim të këtij personaliteti të shquar të kulturës sonë kombëtare i vendosëm emrin e tij parkut në lagjen 17, në hyrje të Durrësit, qytetit të tij të lindjes, të cilit ai i kushtoi një pjesë të madhe të jetës dhe veprimtarisë së tij kulturore e shkencore”, tha Sako.
 
Që prej rinisë së hershme deri në ditët e fundme të jetës Moikom Zeqo ishte i pranishëm në shtypin e shkruar, me mendimin dhe kulturën e tij të gjerë. Ai është autor i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit si dhe të një numri skenarësh për filma. Libra të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.  Zeqo ka punuar shumë në drejtim të zbulimit dhe evidentimit të vlerave tremijëvjeçare të qytetit antik të Durrësit.
 
Moikom Zeqo ndërroi jetë më 15 qershor 2020./ata