Ferma “Sotira” në Ersekë është vlerësuar me Çmimin Ndërkombëtar të Agroturizmit 2024 në Kongresin Ndërkombëtar të Agroturizmit, që u zhvillua në muajin maj në Bolzano të Italisë.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se “”Ferma Sorita”, një nga 7 fermat më të mira në Leskovik, merr çmim në Samitin Global të Agroturizmit në Itali, që e vendos Shqipërinë në hartën e agroturizmit botëror”.

“Ngritur mes natyrës malore, me peizazhe mahnitëse, ferma e Jetonit dhe Jonidës është vendi ideal për të kaluar disa ditë të qeta. Ata investuan kursimet e tyre të emigrimit në këtë agroturizëm duke iu ofruar turistëve mikpritjen e përsosur në oazin e tyre”, theksoi Rama.

Ferma “Sotira”, e pozicionuar në Leskovik të Korçës, një nga më të njohurat në vend, është një shembull suksesi sa i takon investimeve në agroturizëm. Një atraksion i jashtëzakonshëm turistik, në juglindje të vendit, ferma “Sotira” vizitohet nga mijëra turistë të huaj, duke prodhuar jo vetëm ekonomi për familjen, por edhe turizëm dhe punësime për banorët e zonës.

Në ambientet e fermës“Sotira” ofrohet mikpritja e përsosur për turistët, të cilët gjejnë akomodim, ushqim me produkte të zonës, hipizëm, kamping e deri tek “athiterapia” një metodë inovative e oksigjenimit të mushkërive, që funksionon përmes koshereve të bletëve./ata