Më shumë se 500 gjysheve dhe gjyshërve iu është rikthyer drita e syve në dy muajt e parë të vitit 2023, falë profesionalizmit të ekipit të mjekëve okulistë në QSUT, ku kryhet ndërhyrja e kataraktës dhe lentet falas.

 

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se “mbi 3700 pacientë/vit përfitojnë falas ndërhyrjen e kataraktës dhe lentet, në QSUT dhe në spitale rajonale, me financim 100% nga shteti”.

 

“Operacioni më i shpeshtë që kryhet në klinikën tonë zakonisht ndeshet në moshat e treta mbi 60 vjeç, është operacioni që kryhet me ultratinguj ku bëhet i mundur kristalimi i perdes më pas implantohet vendoset një lente brenda në sy ,e cila bën të mundur rikthimin e shikimit tek këta pacientë, shikimi që ka marrë perdja. Përfitimi i pacientëve është i mundur që në ditët e para pas operacionit, kthehet shikimi që ato kanë pasur në momentet para se të fillonte perdja”, thekson doktoresha Eralda Leci, kirurge oftalmologe në QSUT  në videon e publikuar nga ministrja Manastirliu.

 

Doktoresha Leci tha se “në moment që çdo pacient mund të ndiejë ulje të shikimit në njërin sy apo në të dy, gjëja e parë që duhet të bëjë është të bëjë kontrollin rutinë tek mjeku i familjes dhe pastaj tek okulisti i lagjes. Në varësi të problematikave ai referohet në qendrën spitalore në rastin e kataraktës, të cilat kanë nevojë për trajtim jo për operacion”.

 

Zgjerimi i shërbimeve shëndetësore falas ka ulur shpenzimet nga xhepat e qytetarëve. Më parë një ndërhyrje e tillë kushtonte rreth 35 mijë lekë të reja/lente, sot ndërhyrja dhe lentet janë falas. Ky është një hap përpara drejt mbulimit shëndetësor universal.