Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha sot nga Durrësi se trajnimet e kryera dhe shtimi i personelit ka mundësuar mbulimin me shërbim nga të gjitha qendrat shëndetësore verore.
Brataj, në fjalën e tij, gjatë aktivitetit "Sezoni turistik i shendetshem" u shpreh se puna e mjekut është një punë ekipi dhe nuk mund të realizohet vetëm. Ai kujtoi se janë një sërë institucionesh të angazhuara për të realizuar qëllimin e një shërbimi shëndetësor në nivelin e kërkuar.
“Jam besoj dëshmitari i vetëm, që nga krijimi i qendrave shëndetësore, në vitin e parë të krijimit të tyre dhe deri më sot, që kam marrë pjesë ne organizimin, trajnimin, përmirësimin dhe vit për vit duke u ndeshur me të gjitha problematikat, dhe kur themi qendrat shëndetësore verore, duket një gjë e thjeshtë, por nis nga çadra e madhe e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është Operatori (i Kujdesit Shëndetësor), ISHP, Universiteti, Fakulteti i Mjekësisë, është Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Janë pra të gjitha institucionet së bashku që duhet patjetër të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të realizuar qëllimin”, tha Brataj.
Sipas kreut të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, këtë vit ka patur interes të lartë nga mjekët për t’u angazhuar në ekipin e qendrave shëndetësore verore.
“Qendra Kombëtare ka ndërmarrë për herë të parë një kurs “First Responder”, ose përgjegjësit e parë për dhënien e ndihmës së parë, ku shoferi nuk është vetëm drejtues i makinës, por është dhe dhënësi i ndihmës së parë me patentë. Dhe ata janë pjesë e stafit tonë. Ne mjekëve na duket vetja si heronjtë e vetëm, pasi ne dalim në dritë gjithmonë, por pa krahun e parë, infermierin dhe personelin ndihmës, nuk ia dalim dot, askush nuk ia del dot i vetëm”.
“Përmirësimi dhe shtimi i numrit të këtij personeli, na dha mundësi të mbulojmë të gjitha qendrat shëndetësore me staf. Të gjithë së bashku, me formimin që kanë, me trajnimet “Full Imersion”, si të bëhet masazhi kardiak, ventilimi, si të shpëtohet jeta nga infarkti, defribilimi etj., janë gati të japin shërbimin e tyre”, tha Brataj.
Në 34 Qendrat Shëndetësore Verore jane angazhuar 300 mjeke dhe infermiere. Qendrat shëndetësore janë në zonat kryesore turistike, nga Thethi, duke vijuar në Radomirë, e deri në Sarandë. Qendrat Shëndetësore Verore janë të hapura 24 orë, 7 ditë të javës./ata