Rusia ka deklaruar se situata në Afganistan është "thellësisht shqetësuese" për shkak të dëshirës së Perëndimit për të fituar një pikëmbështetje në rajon.
Në një takim të krerëve të këshillave të sigurisë të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), i mbajtur në qytetin kazak Almaty, sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Sergey Shoygu, tha se situata në Afganistan është "thellësisht shqetësuese".
"Ekziston një dëshirë e anglo-saksonëve për të fituar një pikëmbështetje në rajon pas ikjes së turpshme nga vendi në vitin 2020", tha Shoygu.
Duke argumentuar se ka një "përpjekje të dukshme" nga vendet perëndimore për ta kthyer Euroazinë në një zonë të konfrontimit gjeopolitik, Shoygu akuzoi Perëndimin për përdorimin e metodave të ndryshme për të arritur këtë qëllim, përfshirë "ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të shteteve të pavarura, presionin politik, shantazhin, kërcënimet, sanksionet e paligjshme dhe metoda të tjera".
Më tej, Shoygu tha se kërcënimi i menjëhershëm për vendet anëtare të CSTO-së është zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s përmes rritjes së pranisë së saj ushtarake në kufijtë verior dhe perëndimor të aleancës së udhëhequr nga Rusia.
"Numri i provokimeve në hapësirën ajrore po rritet, po zhvillohen stërvitje të shumta ushtarake, të cilat përfshijnë trajnime për pushtim në territorin e vendeve të CSTO-së", tha ai.
Ai gjithashtu tha se qëllimi për t’i shkaktuar një "disfatë strategjike" Moskës përmes luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë dështoi, duke shtuar se kjo akoma nuk do të ndalojë "agresionin" e vendeve perëndimore për shkak të "kolapsit të vazhdueshëm të hegjemonisë së tyre".
"Duke u përpjekur të ruajnë dominimin e tyre, perëndimorët po përdorin gjithnjë e më shumë masa të presionit ekonomik, përfshirë sanksionet dhe kërcënimet për t’i përdorur ato. Në këtë sfond, sigurimi i pavarësisë ekonomike, financiare, teknologjike dhe industriale të vendeve tona (në CSTO) është e një rëndësie të veçantë", tha Shoygu./aa