Hajdar Elmazi, punon prej 51 vitesh saldator në qytetin e Fierit.
Këtë profesion, e ka nisur që kur ishte 15 vjeç, e sot që i është bërë pjesë e pa ndarë e jetës së tij nuk mundet të heqë dorë ndonëse ka më shumë se tre vite që ka dalë në pension.
Pjesë të punë së tij ka rregullimin e pjesëve të ndryshme të mjeteve motorike. E duke qenë se është ndër të vetmit që mundet të bëje punë komplekse, klientët i ka nga e gjithë zona e Fierit e Vlorës.
“Këtu vijën që nga fshatrat e Vlorës, Fierit. Të gjithë këtu vijnë. Mundohemi të ju shërbejmë në mënyrë sa më cilësore. Në profesion kam 51 vjet. Që nga zetroi, traktori, skapamento, alumin, hekur vijnë këtu. Punën e kam nisur që 15 vjeç. Me detalet e rëndësishme, sandokart, skapament etj, merremi dhe unë dhe një tjetër”, tregoi saldatori.
Repartin e saldimit, Elmazi e ka në lagjen “Kastriot” pranë stadiumit “Apollonia”, në Fier e për të realizuar një punë duhet të mbash radhë.
“Kam ardhur nga Vlora se nuk gjeja asnjë person tjetër për këtë procedurë. Nuk gjeja askund. Më kanë sugjeruar dhe thënë llafet më të mira”, tha një klient.
“Është zanatçi i vjetër, me provojë në punë. Kam ardhur të saldoj një kamio, mjet bujqësor”, tregoi një tjetër.
Mbi zanatin, 67 vjeçari Hajdar Elmazi, thotë se nuk ka dhe i vjen shumë keq që në profesionin e saldatorit tani ka shumë pak profesionistë pasi të rinjtë nuk e pëlqejnë më si punë.
“Kanë qenë shumë. Disa e kanë braktisur, disa janë në pension. Është fatkeqësi që rinia nuk e do. Mbi zanatin nuk ka. Kanë perceptimin që leku vjen përnjëherë, por nuk ka kështu”, tha Elmazi./Shqiptarja